Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar sot ngjarjen e sulmit në kanalin Ibër-Lepenc, që ndodhi një vit më parë.
Kurti ka theksuar se ky sulm me eksploziv dëmtoi rëndë pjesë kritike të akuaduktit, duke rrezikuar një krizë të madhe ujore në Kosovë. Ai e krahasoi këtë akt me sulmet që Rusia ka kryer ndaj infrastrukturës kritike në Ukrainë, duke akuzuar Beogradin zyrtar si përgjegjës për sulme të ngjashme kundër Kosovës.
Përplasja e shkaktuar nga shpërthimi rrezikoi furnizimin me ujë për komunitetet dhe objekte të rëndësishme, përfshirë Termocentralin “Kosova B”. Menjëherë pas incidentit, institucionet reaguan për të parandaluar pasojat katastrofike, si ulja e kapaciteteve energjetike dhe ndërprerja e furnizimit me ujë për disa komuna.
Aksionet profesionale siguruan që, gjatë riparimeve, uji të vazhdonte rrjedhën për nevojat energjetike dhe të banorëve. Në një muaj, akuadukti u rindërtua dhe sistemi u kthye në funksion të plotë, duke dëshmuar aftësinë e institucioneve për t’u përballur me sfidat.
Gjatë bastisjeve në veri, u konfiskuan armë dhe pajisje, përfshirë simbole ruse dhe serbe, që dëshmojnë përpjekjet për destabilizimin e vendit.

Leave a Reply