Qeveria ka bërë publike se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mirëpritur kryeministrin e Granadës, Dickon Amiss Thomas Mitchell, në një takim zyrtar. Ky takim është mbajtur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York, sipas Zyrës së Kryeministrit.
Në njoftim theksohet se, gjatë këtij takimi, i cili është i dyti brenda dy viteve të fundit, Kurti ka shprehur falënderime të veçanta ndaj Qeverisë së Grenadës për mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, raporton Gazeta Express.
‘‘Bashkë diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe për mundësitë që dy vendet ofrojnë për bashkëpunim më të madh dhe partneritet më të fortë, si dhe për zhvillimet dhe situatën gjeopolitike dhe ndikimin e tyre’’, thuhet në deklaratën e ZKM-së.
Gjithashtu, është theksuar se Kurti ka ftuar homologun e tij nga Granada për një vizitë në Kosovë, me qëllim që të konkretizohet më tej vullneti i të dy palëve për bashkëpunim.
Në takim morën pjesë edhe zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, si dhe konsulli i përgjithshëm i Kosovës, Blerim Reka.
Përveç këtij takimi, më parë është bërë e ditur se Kurti ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Belizesë, John Briceño.

Leave a Reply