Kurti njofton investime prej 1 miliard euro në Prishtinë

Albin Kurti, kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, mbajti një tubim në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë, ku prezantoi angazhimet kryesore të programit të tij qeverisës për mandatin e ardhshëm.

Kurti theksoi se përkrahja e banorëve të kësaj zone është tregues i besimit në vizionin e Vetëvendosjes, duke premtuar një qeverisje që do të jetë në shërbim të çdo qytetari dhe interesave shtetërore të Kosovës. Ndër zotimet kryesore, Kurti parashikoi që ekonomia e vendit të dyfishojë eksportet dhe të arrijë një vlerë prej 12 miliardë eurosh deri në vitin 2026.

Ai njoftoi gjithashtu se buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm pritet të jetë 4 miliardë euro. Në fjalimin e tij, Kurti përmendi edhe investime prej 1 miliard eurosh në prodhimtari dhe punësimin e të rinjve, si dhe një fond tjetër prej 1 miliard eurosh për sektorin e mbrojtjes.

Në përfundim, ai siguroi se Lëvizja Vetëvendosje ka një program që synon sigurinë dhe begatinë për të gjithë qytetarët e Kosovës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *