Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dy ditë për të prezantuar përbërjen e Qeverisë së re para Kuvendit.
Nëse kjo nuk ndodh deri të dielën, vendi rrezikon të hyjë në një krizë të re institucionale pas muajsh negociatash për formimin e institucioneve. Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit me 48 mandate nga 120 në Kuvend, kërkon të sigurojë mbështetje nga partitë e tjera për të krijuar qeverinë, por deri tani nuk ka arritur marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndërsa ka përjashtuar bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës.
Sipas Kushtetutës, nëse qeveria nuk merr besimin e deputetëve, Presidenti duhet të emërojë një mandatar të dytë brenda dhjetë ditësh. Ky mandatar, që mund të jetë nga partia e dytë më e madhe, ka 15 ditë për të propozuar qeverinë e re.
Në rast dështimi të përsëritur, zgjedhje të reja mbahen brenda 40 ditësh nga shpallja e tyre. Ndërkohë, Lista Serbe ka kundërshtuar zgjedhjen e Nenad Rashiq si nënkryetar të Kuvendit, duke e çuar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, një vendim i së cilës mund të ndërlikojë më tej situatën politike në vend.

Leave a Reply