Kurti priti Kryebashkiakun e Horës së Arbëreshëve, Petta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në Prishtinë kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve, Rosario Petta, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Liza Gashi.

Gjatë takimit, Kurti shprehu interesin e Qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin me komunitetin Arbëresh, duke vënë theksin në ruajtjen e trashëgimisë kulturore si një pjesë e rëndësishme e historisë së përbashkët. Në diskutime, u vlerësua rëndësia e shkëmbimeve kulturore dhe akademike, dhe u shqyrtua mundësia e organizimit të aktiviteteve artistike në Kalabri dhe Sicili, përmes festivalit të filmit.

Një pikë tjetër e bisedimeve ishte përfshirja e komunitetit Arbëresh në programin “Shijo Kosovën”, me synimin për të forcuar lidhjet kulturore dhe njohjen e Kosovës nga të rinjtë arbëreshë. U theksua gjithashtu nevoja për të forcuar lidhjet ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe atyre në rajon, përmes projekteve të përbashkëta kërkimore dhe shkëmbimeve akademike.

Një marrëveshje konkretë ishte ndërtimi i një shtatoreje të Adem Jasharit në Bashkinë Hora e Arbëreshëve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *