Kurti: Republika mbizotëroi kundër grupeve ekstremiste

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sulmin ndaj akuaduktit të Ibër Lepencit në fshatin Varagë, Zubin Potok, që ndodhi një vit më parë, duke e cilësuar si një akt terrorist kundër infrastrukturës kritike të vendit.

Ky shpërthim, që ndodhi rreth orës 19:00 me eksploziv, ishte sulmi i dytë i rëndë brenda dy viteve, pas atij paramilitar në Banjskë, dhe synonte të shkaktonte pasoja të rënda në furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Dëmtimet e shkaktuara rrezikonin furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji elektrike, duke prekur Mitrovicën, Skenderajn, Drenasin, Vushtrrinë, Fushë Kosovën si dhe gjysmën e Prishtinës.

Kurti përgëzoi reagimin e shpejtë të institucioneve që ruajtën funksionimin e termoelektranave dhe furnizimin me ujë, pavarësisht dëmeve të mëdha. Rindërtimi i akuaduktit u përfundua brenda një muaji, duke rikthyer sistemin në kapacitet të plotë, çka dëshmon profesionalizmin e institucioneve publike.

Kurti theksoi se shteti triumfoi ndaj grupeve ekstremiste, duke kujtuar se gjatë bastisjeve në veri u gjetën armë dhe pajisje që lidhen me grupe ekstremiste serbo-ruse. Ai shtoi se këto janë dëshmi për përpjekjet për destabilizimin e rajonit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *