Kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shprehur mirënjohje ndaj qytetarëve për pjesëmarrjen e tyre në balotazhin e fundit, duke e cilësuar si një shenjë të pjekurisë demokratike dhe përkushtimit ndaj zhvillimit të vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Kurti theksoi se dalja e qytetarëve në votime përbën një kontribut të rëndësishëm për demokracinë dhe orientimin e politikave lokale. Kurti u bëri thirrje qytetarëve të mbajnë përgjegjës kryetarët për premtimet e dhëna dhe për zhvillimin e qyteteve dhe fshatrave.
Duke iu drejtuar aktivistëve të Vetëvendosjes, ai nënvizoi se partia tani do të udhëheqë në shtatë komuna të Kosovës, numri më i madh deri tani, duke theksuar se rritjen e Lëvizjes nuk e ndali dot as bashkimi i kundërshtarëve. Kurti përfundoi mesazhin e tij duke u shprehur se përpara janë shumë punë dhe sfida, që nënkuptojnë suksese të ardhshme.

Leave a Reply