Kryeministri i përkohshëm i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takime të rëndësishme sot në Washington D.C., në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai, së bashku me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, dhe ambasadorin e Kosovës në ShBA, Ilir Dugolli, u takua me senatoren demokrate nga New Hampshire, Jeanne Shaheen.
Sipas një njoftimi, temat e diskutuara përfshinin marrëdhëniet bilaterale, zhvillimet e fundit në Kosovë, progresin ekonomik, investimet në mbrojtje, përmirësimin e sigurisë dhe sundimin e ligjit.
“Kryeministri në detyrë vuri në pah bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes, vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA-ja dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane, si zhvillime kryesore dhe me interes të përbashkët në kuadër të raporteve dypalëshe Kosovë-ShBA. Diskutuan gjithashtu për mundësitë që vendi ynë ofron për kompanitë dhe investitorët amerikanë”, thuhet në njoftim.
Senatorja Shaheen kishte vizituar Kosovën pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit dhe ka bërë thirrje të vazhdueshme për arrestimin e Millan Radoiçiq, i cili, siç theksoi kryeministri, edhe dy vjet pas sulmit dhe pranimit të fajësisë vazhdon të jetë i lirë në Serbi.

Leave a Reply