Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë ka diskutuar për veprimet e fundit të Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga kryeministri Kurti lidhur me institucionet paralele arsimore dhe shëndetësore në Veri. Ai ka deklaruar se zgjidhja për këto shërbime duhet të arrihet përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe si destinacion përfundimtar.
Diplomati britanik ka theksuar se integrimi i këtyre institucioneve është “jashtëzakonisht i ndjeshëm”, duke theksuar se zgjidhja duhet të arrihet brenda kuadrit ligjor të Kosovës, përmes themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Unë mendoj se Asociacioni duhet të jetë pika përfundimtare, dhe çdo punë që lidhet me shëndetësinë dhe arsimin duhet të jetë në përputhje me themelimin e një asociacioni. Mendoj se pika tjetër vërtet e rëndësishme është, dhe ndoshta një pikë edhe më e rëndësishme është, siç thashë, këto janë shërbime që prekin drejtpërdrejt familjet dhe individët. Dhe, çdo politikëbërës, kudo në botë, mendoj se do të pajtohej se të kesh një konsultim të vërtetë, një përfshirje reale të komuniteteve që do të preken nga ndryshimet, në mënyrën si u komunikohen atyre çështje kaq të rëndësishme, kjo duhet të jetë një bisedë e vërtetë”, ka thënë diplomati britanik për REL.
“Siç thashë, isha shumë i kënaqur të dëgjoja kryeministrin duke thënë se ai do të ishte i gatshëm të diskutonte çështje të tilla me kryetarët e rinj të komunave. Por, gjithashtu, mendoj se ka kanale të ndryshme, përmes të cilave është vërtet e nevojshme që autoritetet e Kosovës të kenë komunikim real, personal dhe të drejtpërdrejtë me komunitetet që preken, dhe të gjejnë një mënyrë që, çfarëdo që do të ndodhë me ato shërbime, ato të mbeten të qasshme, me cilësi të lartë dhe të përballueshme”, ka shtuar ai.
Hargreaves ka theksuar më tej se kjo duhet të ndodhë brenda kuadrit të dialogut të udhëhequr nga BE-ja, pasi ky është një zotim afatgjatë i Kosovës dhe më e rëndësishmja, thotë ambasadori britanik, në konsultim me komunitetet që do të preken nga ato.

Leave a Reply