Kusari-Lila: Kontrollet e hershme janë jetike për shëndetin tuaj

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në nisjen e fushatës për ndërgjegjësimin e Tetorit Rozë.

Ajo njoftoi përmes një postimi në Facebook se në këtë ngjarje ishin të pranishëm përfaqësues të qeverisë, profesionistë mjekësorë, gra që e kanë mposhtur kancerin, si dhe aktivistë të shoqërisë civile e përfaqësues të mediave. Në mesazhin e saj, Kusari-Lila theksoi rëndësinë e këtij muaji si një kujtesë për kujdesin ndaj shëndetit dhe për vlerën e parandalimit e të kontrollit të hershëm.

“Tetori Rozë është një thirrje për veprim, sepse parandalimi është arma më e fortë kundër kancerit të gjirit,” tha ajo. Gjithashtu, Kusari-Lila theksoi se aktivitetet e planifikuara gjatë muajit synojnë të sjellin shërbimet mjekësore më afër grave, duke siguruar që askush të mos mbetet pa mundësinë e një kontrolli të hershëm.

“Një kontroll i thjeshtë mund të shpëtojë jetë,” përfundoi ajo, duke nxitur gratë të kujdesen për shëndetin e tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *