Kryetarja e Alternativës dhe aleatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se Vetëvendosje ka respektuar çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Kusari-Lila theksoi se ndonëse Vetëvendosje ka respektuar vendimet, deklaratat politike të udhëheqësve të saj kanë patur një nuancë tjetër.
“Asnjë vendim të Gjykatës Kushtetuese nuk është që s’e ka respektuar Lëvizja Vetëvendosje. Pra, të gjitha vendimet e deritashme janë respektuar nga VV-ja”.
“Deklaratat politike janë tjetër, por vendimet janë respektuar në tërësi. Deklaratat politike kanë pasur konotacion tjetër, jo çdokujt mund t’i thuash ‘hy në procesin zgjedhor’, mendimi im. Por për këtë dallojmë dhe për këtë mbajmë emblema të tjera”, tha Kusari-Lila në Rubikon në Klan Kosova.
Ajo gjithashtu shprehu mosmarrëveshje me mënyrën se si kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe zyrtarë të tjerë të VV-së i përmendin me emra gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjykatave të tjera.
“Por, në aspektin e ushtrimit të ndikimit të partive paraprake, unë mendoj që nuk kemi arritur ta depolitizojmë sistemin juridik në Kosovë”.
“Në situatën aktuale, mendoj që gjyqtarët duhet të jenë gjyqtarë të Kosovës, edhe të Kushtetueses edhe të tjerët. Nuk pajtohem me qasjen [që të përmenden me emra gjyqtarët]”, tha ajo.

Leave a Reply