Deputetja dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se synohet që këtë të diel të votohet qeveria e re e udhëhequr nga Albin Kurti.
Megjithatë, ajo pranoi se ende nuk janë siguruar votat e mjaftueshme për të arritur shumicën e nevojshme parlamentare. Sipas Kusari-Lilës, pavarësisht pritjeve për të marrë të paktën 61 vota, aktualisht nuk ka një konfirmim zyrtar për koalicionet e mundshme.
Ajo shpjegoi se grupi parlamentar i Vetëvendosjes ka 48 deputetë, ndërsa 8 të tjerë janë nga komunitetet joshumicë, dhe një deputet nga nënkryetari Rashiq. Kjo lë ende një mungesë prej 4-5 deputetësh për të siguruar minimumin e shumicës.
Ajo theksoi se nuk kanë pasur takime zyrtare mes partive, por kanë ndodhur komunikime individuale me deputetë që mund të ndikojnë në formimin e qeverisë. Kusari-Lila kritikoi LDK-në për mosgatishmërinë e tyre për diskutime, duke theksuar se kjo parti nuk ka mbajtur fjalën e dhënë.
Megjithë këto sfida, Kusari-Lila mbetet optimiste për miratimin e qeverisë këtë fundjavë, edhe pse pranoi se edhe nëse sigurohen 61 vota, qeveria do të mbetet në një pozicion delikat.

Leave a Reply