Një rrëshqitje e masiveve inertesh në rrugën Breg Lumi-Theth, e shkaktuar nga moti i keq, ka bllokuar pesë automjete dhe nëntë persona, ka raportuar kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Ai ka theksuar se ekipet e emergjencave kanë ndërhyrë menjëherë për të zhbllokuar rrugën dhe për të evakuuar personat e bllokuar. Beci ka bërë të ditur se Bashkia e Shkodrës ka mobilizuar të gjitha kapacitetet për të përballuar situatën në këtë aks rrugor, i cili ndodhet rreth 100 metra nga ura e fshatit Gimaj.
Në terren janë dërguar makineri të rënda dhe fadroma, ndërsa një ekip i specializuar i emergjencave civile po vlerëson situatën. Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen Civile ka konfirmuar se banorët e bllokuar në Nderlysaj janë evakuuar dhe nuk ka më rrezik për jetën e tyre.
Bashkia po punon për të rikthyer normalitetin në transport dhe për t’u ofruar ndihmë qytetarëve të prekur. Në një takim të mëparshëm, zv.kryeministrja Belinda Balluku ka diskutuar masat e marra për përballimin e motit të keq, duke përmendur si pika të dobëta nënShkodrën, Fierin dhe Vlorën.

Leave a Reply