Kushtetuesja mund të hapë rrugën për zgjedhje të jashtëzakonshme, paralajmëron Baraliu

Profesori universitar Mazllum Baraliu, në një prononcim për GazetaBlic, theksoi disa skenarë që pret nga vendimi i nesërm i Gjykatës Kushtetuese, por mbi të gjitha, ai shpreson në një zgjidhje për krizën institucionale që është krijuar.

“Pritet një rrugëdalje nga kriza që kemi, nga paraliza, nga pezullimi që kemi që është imponuar, instaluar më mirë të themi me masën mbrojtëse e Kuvendit”- u shpreh Baraliu.

Sipas tij, zgjidhja e parë do të ishte një zgjidhje që nënkupton se Kuvendi është konstituuar.

“Pra ose duhet të ketë një zgjidhje e cila nënkupton që Kuvendi është konstituar dhe udhëzimi për votim, ose zgjedhje nënkryetarit të nënkomunitetit pakicë serb për nënkryetar të kuvendit mund të bëhet në një nga seancat e ardhshme, kjo do të ishte njëra prej mundësive ose varianteve të vendimit”- tha ai.

Një tjetër mundësi që ai shtoi është kthimi në rivotim të dy kandidatëve për nënkryetar të komunitetit pakicë.

“I dyti do të ishte kthimi për rivotim dhe një herë i çështjes vetëm për kandidatin për nënkryetar të komunitetit pakicë serb, dhe varianti tjetër do të mund të ishte kthimi për rivotim të dy kandidatëve të komunitetit pakicë në përputhje me paragrafin 4 të nenin 67 të kushtetutës”- potencoi Baraliu.

Baraliu nuk përjashtoi as mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të vendit nga ky aktgjykim.

“Variant tjetër mund të ishte pasi me të vërtetë edhe Gjykata Kushtetuese është e involvuar dhe e mërzitur supozoj me gjithë këto kërkesa dhe pakënaqësi dhe mosrespektim të vendimeve të saj nga këto taboret politike të bëjë një vendim i cili rekomandon dhe udhëzon që të shkohet në zgjedhje të reja të parakohshme”- përfundoi Baraliu për GazetaBlic.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *