Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar vendimin e saj lidhur me kërkesën e Listës Serbe për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb.
Ky vendim, i cili do të hyjë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare, thekson se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar pa këtë zgjedhje dhe urdhëron përfundimin e procesit brenda 12 ditësh. Sipas Gjykatës, përfaqësimi i komuniteteve jo-shumicë në organet e Kuvendit është një detyrim kushtetues.
Nëse nënkryetari nga komuniteti serb nuk zgjidhet, Kryesia e Kuvendit mbetet e paplotë dhe jokushtetuese. Prandaj, ky hap është thelbësor për konstituimin e plotë të Kuvendit.
Gjykata ka udhëzuar deputetët që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke siguruar zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb në interes të Republikës së Kosovës. Kryeparlamentari Dimal Basha kishte përmbyllur seancën konstituive pa këtë zgjedhje, duke argumentuar se moszgjedhja e nënkryetarit nuk duhet të bllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit.

Leave a Reply