Florian Dushi, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar pas mbledhjes së gjatë të kryesisë së ngushtë, ku Lumir Abdixhiku, kreu i LDK-së, ka ofruar dorëheqjen e tij.
Dushi, përmes një postimi në ‘Facebook’, ka theksuar se reflektimi nuk duhet parë si ndëshkim dhe se askush nuk qëndron mbi partinë. Ai theksoi se uniteti është thelbësor për ringritjen e LDK-së, duke shtuar se problemet duhet adresuar me përgjegjësi dhe respekt.
Dushi nënvizoi se partia nuk duhet mbrojtur me sy mbyllur, por me punë të përbashkët që synon fuqizimin dhe rikthimin si një alternativë serioze për të ardhmen e Kosovës. Abdixhiku, pas një takimi mbi pesë orësh me drejtuesit kryesorë, deklaroi se dorëheqja e tij do të shqyrtohet nga Kuvendi i LDK-së.
Ai theksoi se vendimi për të ardhmen e partisë do të merret nga ky organ dhe se secili mund të paraqesë kandidaturën e tij. Takimi formal i kryesisë është planifikuar të mbahet javën e ardhshme.

Leave a Reply