Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut, me synim për të fituar ndikim në shtetin fqinj.
Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ishte i pranishëm në një tubim të disa partive shqiptare, të cilat në nivel qendror janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në e Hristjan Mickoskit.
Durmishi mbajti fjalim në emër të Kurtit dhe Qeverisë së Kosovës.
“Kam nderin që këtë tubim kaq madhështorë ta përshëndes në emër të kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti”, u shpreh ai.
Gjatë këtij tetori, Durmishi theksoi se “shqiptarët në të dy anët e kufirit marrin pjesë në zgjedhje vendimtare lokale. Në Kosovë votohet më 12 tetor, dhe atje Vetëvendosja është ajo që VLEN. Këtu votohet më 19 tetor, dhe këtu VLEN-i ju. VLEN është forca juaj”.
“Ashtu siç po lidhet Prizreni me Tetovën me rrugë, duhet të lidheni edhe ju me VLEN-in, të bëheni bashkë dhe të fitoni bashkë. Shqiptarët nuk kanë luksin të ndahen, sepse vetëm të bashkuar bëhen faktor. Qeveria e Kosovës, Lëvizja jonë, është me ju: politikisht, kombëtarisht dhe njerëzisht. VLEN nuk është vetëm koalicion, por mundësia që zëri shqiptar të dëgjohet qartë dhe fuqishëm”, shtoi ai.
Pjesëmarrësve në tubim, Durmishi u përcolli “të fala të përzemërta” nga Kurti.
“Dhe për fund: keni të fala të përzemërta nga Kryeministri Albin Kurti, i cili për shkak të vizitës në SHBA nuk pati mundësi të ishte edhe fizikisht këtu me ju”, tha ai.
Qeveria e Kosovës kishte qenë e angazhuar edhe në fushatën për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut vitin e kaluar, për të mbështetur VLEN-in.
Më parë, Kurti e kishte mohuar përkohësisht përfshirjen në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe kishte deklaruar nga Shkupi se LVV nuk garon dhe se shqiptarët duhej të vendosnin vetë, por më pas kishte pritur në Prishtinë përfaqësuesit e VLEN-it dhe kishte dërguar ministrat në tubimet elektorale në shtetin fqinj.
Që prej ardhjes në pushtet, Kurti duket se është intriguar nga pjesëmarrja në skenën politike shqiptare edhe në shtetet përreth, në disa forma. Në Shqipëri, ai iu bë zyrtarisht opozitë kryeministrit Edi Rama duke garuar me partinë e tij në zgjedhjet parlamentare në vitin 2021 dhe në Luginë gjithashtu ndërhyri në disa zgjedhje duke mbështetur një krah politik.

Leave a Reply