MASHTI vendos të rishikojë kurrikulat për klasat 1-9

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka nisur procesin e rishikimit të kurrikulave për arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, duke synuar modernizimin dhe përmirësimin e tyre.

Ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur në një postim në “Facebook” se ky proces do të përfundojë deri më 30 prill të këtij viti. Sipas Nagavcit, ky rishikim ka për qëllim ngritjen e cilësisë së arsimit dhe harmonizimin me dokumentet strategjike.

Ajo theksoi se ndryshimet do të ndihmojnë në zhvillimin e kompetencave dhe shkathtësive të nxënësve, si dhe në lehtësimin e ngarkesës së tyre, përfshirë peshën e çantave. Gjithashtu, Nagavci nënvizoi rëndësinë e ofrimit të teksteve shkollore cilësore dhe burimeve të tjera mësimore, të cilat do të mbështesin procesin mësimor.

Ajo siguroi se Ministria mbetet e përkushtuar në avancimin e cilësisë së arsimit përmes politikave të qëndrueshme dhe zhvillimit të kurrikulave bashkëkohore.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *