Profesori i historisë në Universitetin e Oxfordit, James Pettifer, ka shprehur mendimin se humbja e mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit lidhet me qëndrimin e kësaj partie ndaj gjykimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në një intervistë për televizionin publik serb, Pettifer u pyet për ndikimin e këtyre gjykimeve në të ardhmen e Kosovës dhe politikës në Ballkan. Profesori britanik vlerësoi se këto gjykime nuk kanë ndikuar ndjeshëm, duke përmendur se proceset në Hagë për figura si Thaçi dhe Selimi kanë qenë të zvarritura dhe me standarde të ulëta gjyqësore.
Ai theksoi se perceptimi i drejtësisë ndërkombëtare në Kosovë është dëmtuar, pasi gjykimet nuk kanë pasur ndikim të madh politik. Ai vuri në dukje zgjedhjet e fundit, ku partia e Thaçit pati sukses pavarësisht mungesës së tij, duke fituar mbështetje të fortë, veçanërisht në zona si Malisheva.
Pettifer theksoi se Lëvizja Vetëvendosje po humbet terren për shkak të paqartësisë ndaj gjykimeve të Hagës. Ai krahasoi këtë situatë me Serbinë, duke pyetur për ndikimin e gjykimeve të Millosheviqit dhe Sheshelit, duke sugjeruar se ndryshimet nuk kanë qenë të mëdha.

Leave a Reply