Koalicioni i organizatave IKD, FOL dhe INPO përmbylli sot ‘Javën Kundër Korrupsionit 2025’ me një aktivitet të veçantë që synoi të shfaqë ndikimin real të korrupsionit dhe krimit të organizuar në shoqëri.
Nëpërmjet katër stacioneve tematike, vizitorët patën mundësinë të kuptojnë lidhjen direkte mes korrupsionit dhe problemeve si mungesa e energjisë, infrastruktura e dëmtuar, siguria ushqimore dhe keqpërdorimi i fondeve publike. Sipas menaxheres së projektit, Arrita Rezniqi, koncepti i aktivitetit kishte për qëllim të ilustronte se si këto fenomene ndikojnë në jetën e përditshme, qeverisjen dhe zhvillimin afatgjatë të vendit.
Gjatë kësaj jave, janë publikuar raporte me rekomandime konkrete për përmirësimin e drejtësisë dhe transparencës institucionale. Veprimtaritë përfshinë konferenca, diskutime, publikime analitike dhe fushata në rrjetet sociale, me synim rritjen e transparencës dhe forcimin e integritetit institucional.
Java filloi më 8 dhjetor me moton “Bashkë kundër korrupsionit”, duke theksuar rëndësinë e një kulture të qëndrueshme të llogaridhënies.

Leave a Reply