Klubi i AC Milanit ka triumfuar ndaj Fiorentinës në stadiumin “San Siro” me rezultat 2-1, në një ndeshje të Serie A e zhvilluar të dielën mbrëma, duke u ngjitur në krye të renditjes.
Ndeshja mbeti pa gola gjatë pjesës së parë, por pjesa e dytë solli emocione të shumta. Fiorentina hapi serinë e golave në minutën e 55-të, kur Robin Gosens realizoi pas një pasimi të saktë, duke kaluar në avantazh.
Megjithatë, reagimi i Milanit ishte i menjëhershëm. Vetëm tetë minuta më vonë, në minutën e 63-të, Rafael Leão barazoi rezultatin pas një loje të bukur me Pavloviçin.
Leão vazhdoi të ishte protagonist edhe në minutën e 86-të, kur shënoi golin vendimtar nga penalltia, duke siguruar kështu fitoren e pestë për Milanin në kampionat. Pas javës së shtatë, Milani kryeson tabelën e Serie A me 16 pikë, ndërsa Fiorentina renditet e 18-ta me vetëm tri pikë.

Leave a Reply