Miliona euro për Kosovën, vendimi në duart e deputetëve

Kosova ka në pritje mbi një miliard euro fonde ndërkombëtare për më shumë se një vit, të cilat nuk janë vënë ende në përdorim për shkak të mungesës së ratifikimit nga Kuvendi.

Këto fonde përfshijnë 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së dhe mbi 120 milionë euro nga marrëveshjet me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim të Bankës Botërore. Pas zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, Kuvendi i ri përballet me sfidën e miratimit të këtyre marrëveshjeve.

Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve, kërkon bashkëpunimin e opozitës për të çliruar fondet. Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, thekson se çështja e presidentit nuk duhet të ndërthuret me ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndërsa LDK ka konfirmuar mbështetjen pa kushte për këto marrëveshje. Ndërkohë, PDK dhe AAK nuk kanë komentuar, por kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka shprehur mbështetje për marrëveshjet që janë në interes të Kosovës.

Instituti GAP ka tërhequr vëmendjen se vonesat në miratimin e marrëveshjeve mund të rrezikojnë përfitimin e fondeve të BE-së, pasi afati për përdorimin e tyre skadon në vitin 2027. Zyra e Bankës Botërore ka caktuar 13 shkurtin 2026 si afatin e fundit për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *