Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka adresuar një “Njoftim Shqetësimi” drejt krerëve të UEFA-s dhe FIFA-s, duke kritikuar Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) për dështimet në përmbushjen e kritereve ligjore dhe organizimin e një procesi zgjedhor jo demokratik.
Në shkresën e siguruar nga Gazeta Insajderi, Çeku shpreh shqetësim për injorimin e marrëveshjeve për harmonizim statutor nga FFK, ndërsa zgjedhjet e planifikuara për shkurt 2025 po afrojnë pa përmbushjen e kushteve të nevojshme. Një pikë kyçe e kritikës lidhet me kërkesat për kandidaturën e Presidentit të FFK-së.
Rregullat aktuale kërkojnë 15 nënshkrime mbështetëse nga vetëm 26 anëtarë me të drejtë vote, çka sipas Çekut, kufizon konkurrencën dhe minon parimet demokratike. Ministria akuzon FFK-në për dezinformim dhe pretendime të pasakta mbi harmonizimin statutor.
Çeku kërkon nga UEFA dhe FIFA ndërhyrje për të zgjidhur këto çështje, duke theksuar nevojën për harmonizim të akteve të FFK-së me ligjin dhe përmbushje të kushteve për licencimin e shoqatave rajonale, për të siguruar integritetin institucional.

Leave a Reply