Mitrovica planifikon ndërtimin e një spitali të ri

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka njoftuar se ndërtimi i një spitali modern për qytetin do të nisë me formimin e Qeverisë Kurti 3.

Në një postim në Facebook, Peci informoi se kishte zhvilluar një takim me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, ku u diskutua për projektet shëndetësore të planifikuara për Mitrovicën. Gjatë këtij takimi, u theksua rëndësia e përshpejtimit të procesit për ndërtimin e spitalit të ri, i cili do të ofrojë hapësira moderne dhe shërbime të plota shëndetësore.

Peci gjithashtu bëri të ditur se po shqyrtohet mundësia e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës në ambientet më të përshtatshme të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Këto zhvillime vijnë si pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore në qytet.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *