Mitrovica planifikon ndërtimin e spitalit modern të ri

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, dhe nënkryetari Enis Osmani, zhvilluan një takim me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Gëzim Berisha.

Në fokus të diskutimeve ishte gjendja aktuale e sektorit të shëndetësisë në rajon, si dhe projektet e planifikuara nga Ministria e Shëndetësisë për Komunën e Mitrovicës. Një nga temat kryesore ishte ndërtimi i një spitali të ri në Mitrovicë, i cili do të ofrojë hapësira bashkëkohore dhe shërbime të plota shëndetësore.

Kryetari Peci theksoi se ky projekt do të fillojë menjëherë pas formimit të qeverisë së re, duke përmbushur të gjitha detyrimet komunale për realizim të shpejtë dhe efikas. Ndër të tjera, u diskutua edhe për mundësinë e zhvendosjes së ambulancave specialistike nga Spitali i Përgjithshëm në ambiente më të përshtatshme të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).

Peci premtoi angazhimin e komunës për të përmbushur të gjitha detyrimet e saj për këtë projekt të rëndësishëm për qytetarët.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *