Mitrovica rifillon normalizimin pas stuhive të shiut

Institucionet komunale në Mitrovicë të Jugut kanë ndërmarrë masa të shpejta dhe të koordinuara për të stabilizuar situatën pas reshjeve të dendura të shiut.

Përmes një komunikate në rrjetet sociale, Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur veprimet e ndërmarra nga Shtabi Emergjent për menaxhimin e situatës së krijuar nga vërshimet e fundit. Ndër veprimet e kryera përfshihet pastrimi i lumit Lushta dhe ndërtimi i mureve mbrojtëse në lumin Sitnica për të parandaluar përmbytjet.

Një kanal i ri është hapur për të devijuar ujërat drejt liqenit akumulues, duke parandaluar vërshimet nga lumi Ibër. Janë evakuuar mbi 24 familje nga zonat më të prekura, të cilat janë strehuar përkohësisht në Hotel Park ose te të afërmit.

Ndërkohë, ekipet mjekësore janë në gatishmëri për të monitoruar gjendjen shëndetësore të të evakuuarve. Furnizimet me ushqime dhe ujë janë në proces, duke përfshirë shpërndarjen e pakove ushqimore dhe ujit në pika të ndryshme të qytetit.

Rrugët janë pastruar dhe janë plotësisht të kalueshme. Komuna vazhdon të falënderojë të gjitha institucionet dhe qytetarët për bashkëpunimin e treguar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *