Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka komunikuar se pas arrestimit të Avni Qenajt nga autoritetet serbe, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kërkuar zyrtarisht konfirmimin e arrestimit dhe arsyet e ndalimit.
Ata gjithashtu kërkuan informacion mbi vendndodhjen e tij dhe çdo detaj tjetër të rëndësishëm për trajtimin e rastit. Në të njëjtën kohë, Zyra Ndërlidhëse ka informuar edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar transparencë dhe monitorim më të rreptë nga autoritetet serbe mbi procedurat.
Misionet diplomatike të vendeve të Quint-it janë informuar me notë verbale, duke kërkuar mbështetje ndërkombëtare për sigurinë dhe të drejtat e Qenajt. Ministria ka theksuar angazhimin e saj për të sqaruar rrethanat e rastit dhe për të informuar publikun në mënyrë të vazhdueshme.
Gjithashtu, ajo i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për presion ndaj Serbisë, duke theksuar se praktikat e tyre cenojnë standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Leave a Reply