Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka reaguar pas arrestimit të shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nga autoritetet serbe.
Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kontaktuar menjëherë Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, duke kërkuar konfirmim të arrestimit, arsyet e ndalimit, dhe vendndodhjen ku po mbahet Qenaj. Gjithashtu, kjo zyrë ka informuar Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar transparencë dhe monitorim të plotë të procedurave nga autoritetet serbe.
Në të njëjtën kohë, një notë verbale është dërguar edhe te misionet diplomatike të vendeve të Quint-it në Serbi, me qëllim angazhimin e partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të shtetasit kosovar. MPJD ka theksuar përkushtimin për të ndriçuar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të informuar publikun në mënyrë të vazhdueshme.
Ministria ka bërë thirrje për rritje të presionit ndaj autoriteteve serbe, duke akuzuar Serbinë për keqtrajtim dhe intimidim të shtetasve kosovarë, duke shkelur kështu standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Leave a Reply