Lëvizja Vetëvendosje ka hedhur poshtë akuzat e opozitës për importin e energjisë elektrike nga Serbia.
Armend Muja, përfaqësues i kësaj partie, deklaroi në një konferencë për media se gjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka importuar energji kryesisht nga Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Danimarka, me pjesëmarrjen e Serbisë që është më pak se 1 për qind. Ai kundërshtoi raportimet se më 28 nëntor Kosova ka importuar energji nga Serbia.
Muja akuzoi qeveritë e kaluara për dominim të importit nga Serbia, ndërsa theksoi se pas ardhjes në pushtet të Vetëvendosjes, ky dominim ka ndryshuar. Sipas tij, importet nga Serbia kanë rënë ndjeshëm dhe furnizuesit kryesorë tani janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Danimarka.
Ai gjithashtu përmendi se kontratat e mëparshme me furnizues serbë, përfshirë Vuk Hamoviqin, kanë qenë të vlefshme deri në vitin 2013, me vlerë të konsiderueshme financiare. Muja i ftoi gazetarët dhe qytetarët të informohen për këto çështje përmes dokumenteve të disponueshme që zbulojnë të gjitha detajet e kontratave të energjisë.

Leave a Reply