Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka organizuar një takim me përfaqësues të komunitetit të biznesit për të diskutuar rritjen e pagës minimale.
Ky takim është planifikuar të zhvillohet sot në orën 10:00 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës. Aktualisht, paga minimale në Kosovë është 350 euro bruto, një shifër e cila u rrit në gusht të vitit të kaluar.
Më parë, paga minimale ishte 130 euro për punonjësit nën 35 vjeç dhe 170 euro për ata deri në 65 vjeç, përpara se të hynte në fuqi Ligji i ri për pagën minimale që e ngriti atë në 264 euro bruto. Në një seancë të jashtëzakonshme më 26 tetor, kryeministri në detyrë Albin Kurti theksoi synimin për të rritur pagën minimale në 500 euro, një çështje që mbetet e rëndësishme pavarësisht dështimit për të formuar qeverinë e re.

Leave a Reply