Murati: LDK, PDK dhe Srpska synojnë koalicion si në 2014-n

Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes Hykmete Bajrami, që bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, ka pohuar se më shumë qytetarë po largohen nga Kosova sesa nga vendet e luftës.

Murati theksoi se Banka Botërore vetëm prezanton të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), por këto nuk janë përditësuar saktësisht ndër vite. Ai sqaroi se sipas përditësimeve, në Bankën Botërore figuron se 9.7% e popullsisë është larguar, por kjo nuk reflekton largime aktuale.

Murati vuri në dukje se largimet më të mëdha ndodhën gjatë qeverisjes së LDK, PDK dhe Listës Serbe. Sipas tij, një koalicion i ngjashëm po tentohet edhe tani.

Ai kritikoi Bajramin për manipulim të mundshëm të të dhënave ose për keqkuptim të statistikave, gjë që sipas tij, ngre shqetësime për cilësinë e arsimit. Murati sqaroi se ndryshimi në numrin e popullsisë rezidente është pasojë e korrigjimit statistikor, jo e një eksodi masiv.

ASK vlerësoi se në vitin 2023 ishin 1.76 milionë banorë, ndërsa censusi i vitit 2024 regjistroi 1.6 milionë, duke treguar se vlerësimet e mëparshme ishin të pasakta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *