Nagavci dorëzon në Prokurori rastin e Drejtorit të Institutit Albanologjik

Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka ndërmarrë hapa ligjorë duke iu drejtuar Prokurorisë Speciale të Kosovës për të kërkuar hetim penal mbi procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të Institutit Albanologjik.

Në një postim në Facebook, ajo deklaroi se ka dorëzuar prova që sugjerojnë përfshirjen e disa individëve në vepra të dyshuara penale si keqpërdorimi i pozitës zyrtare, cenimi i të drejtave në marrëdhëniet e punës dhe bashkëkryerja. Sipas Nagavcit, raportet dhe dokumentet e marra tregojnë se ka pasur veprime të paligjshme me qëllim përfitimi personal, duke shpërfillur ligjin dhe tejkaluar autorizimet e caktuara.

Ajo theksoi rëndësinë e një hetimi të plotë dhe kërkoi që të gjitha palët përgjegjëse të përballen me drejtësinë sipas ligjit. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) njoftoi të hënën anulimin e vendimit për emërimin e Drejtorit të Institutit Albanologjik, duke e arsyetuar këtë me shkelje të dispozitave ligjore gjatë procesit të zgjedhjes.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *