Nënkryetari i Gjakovës kundërshton akuzat për tenderët e fituar

Zëvendëskryetari i Komunës së Gjakovës, Flamur Fetahaj, ka hedhur poshtë akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje-Dega Gjakovë, të cilat e lidhin atë dhe kompaninë “Dreni” me konflikte interesi në tenderët e komunës.

Ai i ka cilësuar këto akuza si shpifje të qëllimshme dhe të pabaza. Fetahaj sqaroi se kontratat e përmendura janë nënshkruar shumë vite më parë, përfshirë periudhën kur Mimoza Kusari-Lila drejtonte komunën.

Ai theksoi se të gjitha procedurat janë zbatuar sipas rregullave të prokurimit publik dhe në mënyrë transparente. Fetahaj ftoi Prokurorinë e Shtetit të hetojë çështjen dhe të verifikojë llogaritë bankare të familjarëve të tij për të provuar se nuk ekziston asnjë përfitim i paligjshëm.

Ndërkohë, Vetëvendosje-Dega Gjakovë pretendon se kompania “Dreni”, e themeluar dhe menaxhuar nga Fetahaj, ka marrë tenderë nga Komuna e Gjakovës me vlerë afër gjysmë milion euro. Dokumentet e deklarimit të pasurisë tregojnë se kompania ka kaluar në emër të një personi tjetër në vitin 2021, për të cilin Vetëvendosje thotë se ka qenë shofer i Fetahajt.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *