Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Bahamas ka vendosur të njohë pavarësinë e Kosovës, duke u bërë shteti i 121-të që e bën këtë.
Ky zhvillim u përmbyll me nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe në kryeqytetin e Bahamas me Kryeministrin Philip Davis. Marrëveshja e përbashkët ndërmjet Komonuelthit të Bahamas dhe Republikës së Kosovës përfshin njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve, bazuar në konventat ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.
Të dyja vendet kanë shprehur angazhimin e tyre për respektimin e parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke përfshirë sovranitetin dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve. Synimi është zhvillimi i marrëdhënieve mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe bashkëpunimit konstruktiv, duke përfshirë fusha si tregtia, arsimi, turizmi dhe teknologjia.
Ky partneritet pritet të sjellë përfitime për qytetarët dhe të kontribuojë në paqen ndërkombëtare.

Leave a Reply