Procesi i numërimit të votave do të rifillojë sot në orën 16:00 në 11 komuna të Kosovës, siç ka njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Numërimi do të zhvillohet në Qendrat Komunale të Numërimit në Prishtinë, Pejë, Prizren, Podujevë, Mitrovicë e Jugut, Gjakovë, Malishevë, Lipjan, Gjilan, Ferizaj dhe Suharekë. Deri më tani, numërimi është përfunduar në 27 komuna të vendit.
Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, janë numëruar mbi 78% të votave, përkatësisht 1991 nga 2557 vendvotime totale. Rezultatet tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje kryeson me rreth 332 mijë vota (48.48%), e ndjekur nga PDK me 21.60% ose afërsisht 148 mijë vota.
LDK ka siguruar mbi 87 mijë vota, që përbëjnë gati 13%, ndërsa AAK ka marrë mbi 38 mijë vota ose 5.61%. NISMA mbetet nën pragun elektoral me gati 12 mijë vota (1.69%).
Në mesin e kandidatëve serbë, Lista Serbe ka siguruar 9 deputetë me mbi 40 mijë vota, ndërsa partia e Nenad Rashiqit ka fituar një mandat. Përfaqësuesja boshnjake, Duda Balje, nuk arriti të sigurojë një vend në Kuvend.

Leave a Reply