Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të premten do të fillojë procesi i numërimit të më shumë se 27 mijë fletëvotimeve të ardhura nga diaspora përmes postës.
Këto fletëvotime janë mbledhur nga dy kutitë postare të vendosura jashtë Kosovës. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, numërimi do të nisë më 2 janar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, duke filluar nga ora 10:00.
Elezi thekson se regjistrimi për votimin me postë ka përfshirë rreth 58 mijë qytetarë, por ende nuk është përfunduar tërheqja e fletëvotimeve nga kutitë postare. Prandaj, numri i saktë i votuesve që kanë ushtruar të drejtën e votës nuk është përcaktuar ende.
Tërheqja e fundit e zarfeve do të bëhet më 2 dhe 5 janar. Deri tani, nga kutitë postare në Berlin dhe Bernë, janë marrë mbi 28,500 pako me fletëvotime.
Pas verifikimit, janë aprovuar 27,600 prej tyre, ndërsa rreth 950 janë refuzuar për shkak të mungesës së dëftesës së regjistrimit. Në votimin nga 29 përfaqësi diplomatike, nga 19,187 të regjistruar, kanë votuar 16,165 qytetarë, çka përbën 84.24% të tyre.

Leave a Reply