Një nxënës i talentuar nga Kosova, Nil Kelmendi, ka arritur rezultate të shkëlqyera në garat prestigjioze të matematikës dhe shkencës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke përfaqësuar vendin e tij në Neo Science Olympiad, e mbajtur në Orlando nga 10 deri më 15 janar, Nil shënoi sukses të jashtëzakonshëm duke u renditur i pari në kategorinë “Best of the Best” për Matematikë dhe i treti për Shkencë. Nili, nxënës i klasës së tretë, tregoi përkushtim të vazhdueshëm gjatë gjithë procesit të garës, duke u dalluar edhe në fazat parakualifikuese online.
Ai konkurroi me nxënës nga e gjithë bota, duke dëshmuar talentin dhe disiplinën e tij të veçantë. Kjo arritje është jo vetëm një sukses personal për Nilin dhe familjen e tij, por edhe një krenari për Kosovën, duke vënë në pah potencialin e jashtëzakonshëm të nxënësve kosovarë në arenën ndërkombëtare.
Mbështetja e Kosova Global Talent Center ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë sukses, duke inkurajuar dhe zhvilluar talente të reja. Ky rezultat frymëzon të rinjtë për të investuar më shumë në arsim dhe zhvillim personal.

Leave a Reply