Oda e Avokatëve: Kamerat në polici cenojnë privatësinë

Oda e Avokatëve të Kosovës ka ngritur shqetësime lidhur me pajisjet e incizimit që janë vërejtur në disa ambiente të Policisë së Kosovës.

Sipas tyre, këto pajisje, që duken si kamera artizanale, janë vendosur në hapësira ku kryhen intervista dhe konsultime konfidenciale mes avokatëve dhe klientëve. Kjo situatë, sipas Odës, dëmton standardet e konfidencialitetit që janë thelbësore për ushtrimin e profesionit të avokatit.

Kryetari i Odës, Besnik R. Berisha, dhe nënkryetari Naim Rudari kanë raportuar këtë çështje pas vëzhgimeve të tyre.

Ata kanë kërkuar sqarime nga Policia e Kosovës, e cila ka deklaruar se pajisjet janë pjesë e një projekti zyrtar për sistemet audio/video dhe nuk janë aktive apo të menaxhuara nga stafi hetues. Megjithatë, Oda e Avokatëve mbetet e shqetësuar për sigurinë dhe konfidencialitetin, duke i bërë thirrje avokatëve të jenë të kujdesshëm gjatë konsultimeve në këto ambiente.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *