Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u prit në Bruksel nga presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, António Costa, në kuadër të pjesëmarrjes së saj në samitin BE-Ballkani Perëndimor.
Gjatë takimit, Osmani theksoi nevojën për heqjen e plotë të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke vlerësuar gjithashtu vendimin e fundit të BE-së për një lehtësim të pjesshëm të tyre. Ajo ritheksoi kërkesën që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Osmani argumentoi se Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për të qenë në përputhje me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, ndërsa ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura nga BE, sado që këto kushte kanë qenë sfiduese. Në këtë kontekst, Osmani shpreson në mbështetjen e shteteve anëtare për të avancuar procesin e integrimit të Kosovës në BE, bazuar në meritat e saj.

Leave a Reply