Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim me Kongresistët Michael Turner dhe Donald Norcross, ku diskutoi për zhvillimet aktuale dhe thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme bipartizane të SHBA-ve, e cila ka qenë thelbësore për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Gjatë takimit, Presidentja theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO si një strategji kyçe për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe për paqen në Evropë.
Ajo vlerësoi kontributin e ushtarëve të FSK-së në misionet ndërkombëtare përkrah trupave amerikane dhe u shpreh për angazhimin e Kosovës në forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë, me qëllim rritjen e buxhetit të mbrojtjes në vitet e ardhshme. Osmani gjithashtu theksoi se prania e KFOR-it me trupat amerikane është një garanci për sigurinë e Kosovës dhe rajonit.
Ajo u ndal edhe te çështja e agresionit në Banjskë, duke kërkuar llogaridhënie për ata që qëndrojnë pas këtyre akteve, si dhe për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Leave a Reply