Osmani: Prekazi simbol i qëndresës dhe lirisë kombëtare

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 28-vjetorin e sulmit të dytë të forcave serbe ndaj familjes Jashari, duke e cilësuar Prekazin si simbol të përhershëm të rezistencës dhe lirisë.

Ajo e përshkroi këtë ngjarje si një moment krenarie dhe sakrifice për lirinë e Kosovës. Osmani theksoi se më 5 mars 1998, regjimi serb ndërmori sulmin e tij të dytë, ku për tre ditë rresht, Prekazi qëndroi si një simbol i qëndresës.

Në këtë betejë të përgjakshme, 59 anëtarë të familjes Jashari, përfshirë komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhanë jetën e tyre. Në deklaratën e saj, Presidentja Osmani vlerësoi se sakrifica e familjes Jashari ishte thelbësore për lirinë e vendit.

Ajo e konsideroi Prekazin si altarin e lirisë dhe djepin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Familjen Jashari e përshkroi si flamurin që valon përjetësisht për lirinë e Kosovës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *