Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka paraqitur një padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kërkuar anulimin e vendimit të Qeverisë në detyrë të Kosovës për miratimin e projektligjit të ndarjeve buxhetore për vitin 2026.
Vendimi, i datës 31 tetor 2025, sipas AVONET, është marrë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Në padinë e dorëzuar, AVONET argumenton se Qeveria në detyrë ka tejkaluar kompetencat e saj, duke vepruar në kundërshtim me nenin 72 të Kushtetutës dhe disa nene të Ligjit për Qeverinë.
Veçanërisht, theksohet se qeveria duhet të kufizohet në çështje të domosdoshme administrative dhe jo të miratojë projektligje me karakter politik dhe administrativ. Gjithashtu, AVONET ka kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme sigurie për të pezulluar ekzekutimin e vendimit deri në një vendim përfundimtar nga gjykata.
Organizata ka shprehur shqetësimin për shkeljen e parimit të ndarjes së pushteteve, pasi disa anëtarë të qeverisë janë njëkohësisht deputetë të Kuvendit të Kosovës.

Leave a Reply