Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur të zgjasin masën e paraburgimit për ish-presidentin Hashim Thaçi deri më 10 tetor 2025.
Vendimi i marrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, argumenton se Thaçi mund të pengojë proceset e Dhomave dhe të kërcënojë dëshmitarët që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së. Gjykata ka vlerësuar se rreziqet e mundshme nuk mund të zbuten përmes masave alternative.
Mbrojtja ka paraqitur provat e saj nga 15 shtatori, ku ndër të parët u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin. Dëshmitë e tjera përfshijnë ato të Paul Williams dhe John Stewart Duncan.
Ndërkohë, James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së, dha dëshmi deri më 2 tetor. Prokuroria ka përfunduar paraqitjen e provave më 15 prill 2025.
Për më tepër, më 16 korrik, gjykata rrëzoi kërkesën e mbrojtjes për të hequr disa akuza, duke nënvizuar se incidentet e kontestuara nuk përbëjnë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130. Ndërkohë, procesi pritet të mbyllet më 14 nëntor 2025, para se të paraqiten deklaratat përfundimtare në dhjetor.

Leave a Reply