Policia e Kosovës ka bërë një paralajmërim publik lidhur me qarkullimin e disa e-maileve të rremë që po shpërndahen duke u paraqitur si dokumente zyrtare të këtij institucioni.
Sipas njoftimit, këto e-maile përmbajnë informacione të falsifikuara dhe jozyrtare, të cilat pretendojnë se janë lëshuar nga autoritetet e Policisë së Kosovës dhe organizata të tjera vendore dhe ndërkombëtare. Mesazhet e rreme po paraqiten si “THIRRJE GJYQËSORE” dhe përmbajnë numra referues, duke krijuar një përshtypje të rreme të një komunikimi zyrtar.
Policia e Kosovës ka theksuar se këto dokumente nuk janë autentike dhe nuk janë lëshuar nga ndonjë zyrtar i saj. Në këtë kontekst, Policia ka nisur hetime intensive në bashkëpunim me organet e drejtësisë për të identifikuar autorët e këtyre mashtrimeve.
Ndërkohë, qytetarët janë këshilluar të mos bien pre e dezinformatave të tilla dhe të raportojnë çdo e-mail të dyshimtë në adresën zyrtare të Policisë së Kosovës.

Leave a Reply