FC Ferizaj ka bërë të ditur se trajneri Arsim Abazi ka dhënë dorëheqjen pas humbjes së rëndë me Prishtinën me rezultat 5-0, në një ndeshje të zhvilluar në shtëpi.
Ky njoftim u bë publik përmes një postimi në faqen zyrtare të klubit në Facebook, raporton Arbresh.info.
Klubi ka pranuar dorëheqjen e tij, pavarësisht se mbështetja për të ishte e vazhdueshme dhe e fortë.
“FC Ferizaj përmes këtij njoftimi dëshiron të informojë publikun se pas ndeshjes kundër Prishtinës, kryetrajneri Abazi dhe stafi i tij kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre.”
“Presidenti i klubit, Lulzim Abazi, dhe drejtori sportiv, Genc Hyseni, në takimin e mbajtur pas ngjarjeve të fundit, kanë pranuar vendimin e Arsim Abazit dhe stafit, edhe pse mbështetja për ta ishte e palëkundur.”
“FC Ferizaj falënderon kryetrajnerin deri më tani, Arsim Abazi, dhe stafin e tij për kontributin e tyre të çmuar në pankinë.”
“Në drejtimin e tij, FC Ferizaj arriti të ngjitet në Superligë dhe ishte një pretendent i fortë për të siguruar një vend në kualifikimet për garat evropiane.”
“FC Ferizaj i uron shëndet dhe suksese trajnerit Abazi, duke theksuar se ai do të mbetet gjithmonë një pjesë e rëndësishme e historisë së klubit,” thuhet në deklaratën e klubit.
Arsim Abazi ishte trajner i Ferizajt që nga Liga e Parë, ku ai siguroi ngjitjen e klubit në elitën e futbollit kosovar. Me të në krye, skuadra arriti të mbijetojë sezonin e parë në Superligë dhe ishte pranë pjesëmarrjes në Evropë.
Në ditët në vijim pritet të shihet kush do të jetë pasardhësi i Abazit në stolin e Ferizajt.
Pas shtatë ndeshjeve, Ferizaj ka gjashtë pikë dhe renditet në fund të tabelës./Arbresh.info

Leave a Reply