Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj paralajmërimit për grevë nga Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, për shkak të vonesave në transferimin e buxhetit.
Murati, përmes një postimi në Facebook, akuzon partitë opozitare PDK dhe LDK për pengimin e formimit të Komisioneve Parlamentare, gjë që po ndikon në bllokimin e buxhetit për RTK-në dhe për disa komuna. Murati thekson se vendimi i Komisionit Parlamentar për Buxhet është i domosdoshëm për ekzekutimin e fondeve, proces që Thesari i shtetit mund ta kryejë brenda ditës.
Ai kritikon pretendimin se komisionet nuk mund të formohen për shkak të paqartësisë së pozitës dhe opozitës, duke shtuar se Kuvendi mund të themelojë fillimisht komisionet e përhershme që do të mundësonin shqyrtimin e çështjeve urgjente si buxheti dhe planet e BE-së. Murati sugjeron se komisionet e tjera mund të formohen kur të krijohet qeveria e re dhe të qartësohet roli i pozitës dhe opozitës.

Leave a Reply