Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës, duke ndryshuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të datës 23.09.2025, dhe ka refuzuar si të pabazë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje të datës 20.09.2025.
Nga dokumentet e çështjes rezulton se PZAP-i ka marrë një ankesë nga LVV më 20 shtator. Ndërkohë, PDK ka paraqitur përgjigje në ankesë, duke kundërshtuar në tërësi pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Klankosova.tv.
Pas pranimit të përgjigjes së PDK-së, PZAP-i ka lëshuar vendimin ZL.Anr.49/2025 më 23.09.2025, duke pranuar ankesën e VV-së dhe duke vendosur sipas dispozitivit të vendimit të ankimuar.
Në arsyetimin e vendimit të saj, PZAP ka theksuar se:
“Paneli, pas shqyrtimit të provave, përfshirë link-un e ofruar si provë materiale, ka vërejtur se në tubimin politik të PDK-së në Skenderaj, kandidati për kryetar të Komunës së Skenderaj, Sami Lushtaku, më 19.09.2025, ka përdorur gjuhë fyese gjatë një tubimi me qytetarë, duke deklaruar “Qeveri më të poshtër, Qeveri ma mashtruese, Qeveri më antikombëtare nuk besoj që ka me pas Kosova”. Paneli e ka konsideruar këtë gjuhë në kundërshtim me nenin 34, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11, të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku thuhet: “Gjatë periudhës së fushatës, subjekti politik, mbështetësit ose kandidatët e tij, ndalohen nga bërja e ndonjërës si në vijim: 1.11. përdorimi i gjuhës, në formën e shkruar ose gojore, që nxit ose provokon, ose që mund të nxisë ose provokojë, një person tjetër për të kryer një akt të dhunës kundër personave tjerë ose pasurisë, ose e cila nxit apo mund të nxisë urrejtje kundrejt të tjerëve, ose duke publikuar ose përdorur fotografi, simbole ose çfarëdo lloj materiali tjetër që ka ose mund të ketë ndikim të tillë””.
Në këtë kontekst, Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se PZAP nuk e ka konstatuar saktë gjendjen faktike dhe nuk ka zbatuar drejtë të drejtën materiale, pasi nga provat e dorëzuara nuk del se ka shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e Tyre dhe Kandidatët. Për këtë arsye, ankesa e Partisë Demokratike të Kosovës është pranuar si e bazuar dhe vendimi i PZAP-së është ndryshuar.

Leave a Reply