Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar kërkesën e Prokurorisë së Gjykatës Speciale për dënimin me nga 45 vjet burg për katër ish-udhëheqës të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
PDK thekson se qëndrimi i prokurorisë përpiqet të barazojë viktimën me agresorin, duke krijuar një histori të pavërtetë. Sipas tyre, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi janë simbolika të rezistencës dhe çlirimit të Kosovës, dhe nuk mund të gjykohen jashtë këtij konteksti historik.
Partia vlerëson se kërkesa për dënime kaq të ashpra është një formë ndëshkimi politik dhe selektiv. Për më tepër, PDK e konsideron të papranueshme çdo përpjekje për të lidhur shpalljen e pavarësisë së Kosovës me pretendime kriminale, duke e cilësuar si në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare.
PDK nënvizon se pavarësia e Kosovës është një akt i njohur ndërkombëtarisht dhe mbështetet nga aleatët strategjikë, duke u bazuar në të drejtën për liri.

Leave a Reply