Drejtori i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka shprehur kritika lidhur me perceptimin e heqjes së sanksioneve ndaj Kosovës si një fitore diplomatike.
Në një postim në “Facebook”, ai theksoi se ky interpretim është një keqkuptim dhe manipulim i situatës aktuale. Peci shpjegoi se heqja e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian dhe qasja e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës, e përcaktuar në Ligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, duhet të kuptohen si një menaxhim i dëmit të shkaktuar nga politika e papërvojë e qeverisë kosovare.
Ai nënvizoi se këto zhvillime krijojnë mundësi për qeverinë e ardhshme pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por paralajmëroi se vazhdimi i qasjes së tanishme mund të rezultojë në ngecje për Kosovën. Sipas Pecit, humbja më e madhe për Kosovën është ndërprerja e Dialogut Strategjik me Uashingtonin, duke e cilësuar këtë si një paralajmërim për çdo shtet serioz.
Ai theksoi se aleancat ndërkombëtare kërkojnë koordinim dhe besueshmëri, ndërsa kostot e politikave të papërgjegjshme i paguan populli.

Leave a Reply