Peci padit gazetarët pas hetimeve për vjedhje votash në Mitrovicë

Një ditë pas njoftimit të Prokurorisë për hetime mbi vjedhjen e votave në Mitrovicë, kandidati për Kryetar nga Lëvizja Vetëvendosje, Faton Peci, ka paralajmëruar padi kundër disa gazetarëve dhe pronarëve të kompanive që kryen exit polle.

Ata kishin shpallur kundërkandidatin e tij fitues në zgjedhjet e fundit. Peci deklaroi në Facebook se pas shqyrtimit të procesit zgjedhor dhe zbulimit të manipulimeve, do të ngrejë padi penale ndaj personave të caktuar për cenim të përcaktimit të lirë të votuesve dhe falsifikim të rezultateve, siç parashikohet nga Kodi Penal i Kosovës.

Ai i bëri thirrje organeve të drejtësisë për veprim të shpejtë dhe të drejtë ndaj këtyre akteve, që i konsideron krime. Peci premtoi se në ditët në vijim do të paraqiten prova dhe dëshmi të tjera për të forcuar akuzat.

Gjatë zgjedhjeve, sipas Pecit, disa media dhe individë, përmes shpifjeve dhe manipulimeve, synuan të krijojnë konfuzion dhe të devijojnë rezultatin zgjedhor në Mitrovicë, duke publikuar exit polle të paligjshme. Ai përfundoi duke siguruar qytetarët se transparenca dhe mbrojtja e votës janë përparësi për të dhe partinë e tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *